Sot i përfundon mandati emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.
Diplomati sllovak që në fillim të viti 2020 mori ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mandatin po e mbyll me disa marrëveshje që Kosova e Serbia arritën nën ndërmjetësimin e tij, por zbatimit i tyre në praktikë ishte shumë i mangët.
Në një rast, vetë Lajçak kishte deklaruar se shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim të marrëdhënieve.
“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, kishte theksuar Lajçak vitin e kaluar.
Gjatë ndërmjetësimit të tij dhe Borrellit, që korrespondoi edhe me ardhjen e kreut të VV-së, Albin Kurti, në pushtet, Kryeministri kosovar shkoi në dialog me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pa iu plotësuar kushtet që ai vetë si opozitar i kishte vënë.
Takimi i parë i nivelit të lartë – Kurti-Vuçiq – u zhvillua më 15 qershor 2021, në Bruksel, nën ndërmjetësimin e ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell dhe të dërguarit të tij Miroslav Lajçak.
I dërguari evropian gjatë tentimeve për zbatimin e marrëveshjeve dhe normalizimin e raporteve u përballë edhe me shumë akuza nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij, të cikët e e “identifikuan” se është pozicionuar kundër Kosovës.
Gjatë një konference për media në Prishtinë, kryeministrri Kurti më 18 shtator 2023 tha se në rundin e fundit të dialogut, Lajçak është “pozicionuar” kundër Kosovës, duke shtuar se ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”.
Kurti kishte thënë se dukej një koordinim mes Vuçiqit dhe Lajçakut për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.
Në jo pak raste, Kurti personalisht, por edhe vartësit e tij si zëvendëskryeministri Besnik Bislimi apo edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca e kanë akuzuar Lajçakun si njeri që nuk është netural në dialog, por që po “punon për Serbinë”.
Për njëanshmëri Lajçak u kritikua edhe nga presidentja Vjosa Osmani.
Osmani kishte deklaruar se në procesin e integrimeve evropiane dhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i njëanshëm ndaj Serbisë, në dëm të Kosovës.
Emërimi i tij u prit me skepticizëm edhe nga drejtuesit e mëparshëm të shtetit. Kur u emërua si ndërmjetës, u prit me shumë skepticizëm nga pala kosovare, meqë ai vinte ndaj një vend që nuk e njeh Kosovën.
Para se Lajçaku të merrte zyrtarisht detyrën e emisarit, në mars të vitit 2020, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media pati thënë se Lajçak ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Pak kohë më vonë, në maj të vitit 2020, Thaçi kishte thënë se nuk e ka vullnetin që si President i vendit të marrë pjesë në dialogun me Serbinë i cili udhëhiqet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.