Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot pritet të mbahet seanca përgatitore në rastin Banjska, bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator kundër 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiqin. Shumica prej tyre janë të paarritshëm për sistemin gjyqësor të Kosovës.
Ka indikacione se do të kërkohet shtyrja e seancës pasi avokatët sapo e kanë marrë aktakuzën në gjuhën serbe dhe, sipas tyre, nuk kanë pasur kohë të përgatiten.
Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.





