Sot, më 9 maj, në mbarë kontinentin shënohet Dita e Evropës, një datë me rëndësi historike dhe simbolike për paqen, bashkëpunimin dhe unitetin evropian.
Më 9 maj 1945 përfundoi zyrtarisht në Evropë Lufta e Dytë Botërore, konflikti më i madh dhe më i përgjakshëm në historinë e njerëzimit, me kapitullimin e Gjermanisë naziste. Lufta la pas mbi 50 milionë viktima dhe shkatërrime të mëdha në të gjithë kontinentin evropian. Kjo datë konsiderohet triumf i popujve kundër nazifashizmit dhe fillimi i një epoke të re për Evropën.
Pesë vjet më vonë, më 9 maj 1950, ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, prezantoi deklaratën historike të njohur si “Deklarata Schuman”, e cila konsiderohet themeli i Bashkimit Evropian modern. Në këtë deklaratë propozohej vendosja e prodhimit francez dhe gjerman të qymyrit dhe çelikut nën një autoritet të përbashkët, me qëllim që lufta mes vendeve evropiane të bëhej e pamundur.
Nga kjo nismë lindi Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, që më vonë evoluoi në Bashkimin Evropian që njohim sot. Projekti evropian u ndërtua mbi idetë e paqes, solidaritetit, bashkëpunimit ekonomik dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Sot, Bashkimi Evropian numëron 27 shtete anëtare dhe konsiderohet një nga projektet më të mëdha politike dhe ekonomike të bashkëpunimit ndërkombëtar në botë. Dita e Evropës shënohet çdo vit me aktivitete kulturore, politike dhe edukative në shumë vende evropiane.
Paqja dhe stabiliteti në Evropë janë ndërtuar mbi dy parime themelore: barazinë mes shteteve dhe qytetarëve, si dhe respektimin e sovranitetit dhe kufijve të secilit shtet. Këto vlera vazhdojnë të mbeten thelbësore edhe sot, në një kohë sfidash të reja politike, ekonomike dhe të sigurisë në kontinent.
Për Kosovën, 9 Maji ka një rëndësi të veçantë, pasi integrimi në familjen evropiane mbetet një nga synimet kryesore strategjike të vendit. Institucionet kosovare vazhdimisht kanë theksuar se rruga drejt Bashkimit Evropian lidhet me forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.