LAJME

Sot afati i fundit për konstituim të Kuvendit

Sot afati i fundit për konstituim të Kuvendit
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Gusht 2026, 08:24

Sot është afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. 

Nga ky institucion nuk është bërë e ditur se kur do të vazhdojë seanca e nisur të enjten për konstituimin e legjislaturës së 11-të. 

Ajo e nisur një ditë më parë, u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka kërkuar kohë shtesë për diskutime me përfaqësues të partive, me synimin për të arritur marrëveshje për çështjen e presidentit.

Kërkesa e Kurtit u përcoll me reagime të ligjvënësve të Partisë Demokratike. 

Pavarësisht reagimeve, kryesuesi Avni Dehari, i cili është deputet i Vetëvendosjes, i ndërpreu punimet e seancës. 

E para ndërprerjes së saj, u arrit të përfundohen dy pikat e para të rendit të ditës: ajo për formimin e komisionit për verifikimin e mandateve të deputeteve dhe betimi i tyre. 

Me t’u konstatuar se gjithçka është në rregull me ligjvënësit e zgjedhur, ata dhanë betimin. Këtë e bënë edhe deputetët e Listës Serbe, subjekt që mbështetet nga Beogradi zyrtar./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika