I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se gjatë vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar takime dhe diskutime të rëndësishme për hapat e mëtejshëm në procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Sorensen është shprehur i kënaqur që është rikthyer në Kosovë, duke theksuar se bisedimet janë fokusuar në sigurimin e rezultateve konkrete për qytetarët në vitin 2026.
“Jam i lumtur që jam kthyer në Kosovë. Kam pasur takime të vlefshme dhe diskutime të hapura mbi hapat e mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për t’u siguruar që viti 2026 të sjellë rezultate të prekshme për popullin e Kosovës”, ka shkruar Sorensen.





