Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Dega në Prizren, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në një tubim mobilizues, sensibilizues dhe evokues, i cili do të mbahet sonte në Varrezat e Dëshmorëve në Landovicë.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 19:00 dhe, sipas organizatorëve, i kushtohet Luftës së UÇK-së dhe sakrificës së brezit të lirisë.
Kryetari i OVL-UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, ka ftuar familjarët e dëshmorëve, invalidët, veteranët, bashkëluftëtarët, komandantët dhe qytetarët që t’i bashkohen tubimit.
Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë edhe ish-strukturat komanduese të ZOP-it, komandantë të brigadave dhe ish-ushtarë të UÇK-së.
Sipas OVL-UÇK-së, gjatë tubimit do të rikujtohen përmes rrëfimeve dhe kujtimeve të drejtpërdrejta ngjarje, beteja dhe momente nga periudha e luftës, me qëllim të ruajtjes dhe përcjelljes së kujtesës historike te brezat e rinj.
Në tubim do të jetë e pranishme edhe anëtarë nga Platforma “LIRIA KA EMËR”.
“Ejani të bashkohemi aty ku kujtimet e luftës marrin jetë, aty ku dëshmorët na kujtojnë çmimin e lirisë dhe aty ku zëri i luftëtarëve të lirisë duhet të dëgjohet fuqishëm”, thuhet në ftesën e OVL-UÇK-së, e cila e përmbyll thirrjen me mesazhin: “Të bashkuar për të vërtetën, për lirinë dhe për historinë e UÇK-së!”