Po bëhen dy muaj nga arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdar. Avokati i familjes së tij , Xhevdet Smakiqi konsideron se ndaj tij është ushtruar dhunë fizike.
“Në vazhdimësi jemi në kontakt me avokatin që sipas detyrës zyrtare e ka caktuar shteti serb. Atij me datën tre mars i skadon muaji i dytë që po mbahet i kidnapuar dhe informacionet e fundit janë shqetësuese për faktin se pas vizitës që e ka pasur nga familjarët kanë vërejtur një hematomë mbi vetull të Hasan Dakaj, ku nuk dihet se nga çka i është shkaktuar. Ne konsiderojmë që ndaj tij është ushtruar dhunë fizike”, tha ai.
Avokati Smakiqi theksoi se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, MPJD, i ngarkuari me punë në Beograd që ta informojnë çdo organizatë ndërkombëtare, ndërmjetësit në Bruksel, Fondin për të Drejtën Humanitare në Serbi, si dhe Kryqin e Kuq për rastin e tij.





