Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka treguar që ka marrë rrugën për në Kroaci ku ka ndodhur aksidenti tragjik me autobus ku humbën jetën 10 udhëtarë shqiptarë dhe 44 mbetën të lënduar.
“Me të marrë lajmin tronditës, për humbjen e jetëve të dy bashkëqytetarëve tanë nga aksidenti i sotëm, kam marrë rrugën për në Kroaci, që të solidarizohem me familjarët e bashkëatdhetarët tanë në këto momente të rënda”, shkruan Latifi në Facebook.
“Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne”.
Latifi ngushëlloi familjet Kastrati dhe Bellanica, dhe njoftoi që është në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin kosovar në Kroaci, Gëzim Kasapollin .“Familjeve Kastrati dhe Bellanica u shpreh ngushëllime të sinqerta dhe solidaritetin tim më të thellë, i lutem Zotit të gjejnë forcë për të përballuar dhimbjen e kësaj humbjeje të tmerrshme për ndarjen nga jeta të fëmijëve të tyre të dashur dhe uroj që shpirti i viktimave të gjejë paqen e merituar!”
“Po ashtu, më lejoni të ju njoftoj se gjatë tërë ditës kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, z. Gëzim Kasapolli, dhe Kolonel, Atashe Ushtarak i Mbrojtjes në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kroaci, z.Skënder Hoxha, të cilët i falënderoj për kujdesin dhe interesimin e tyre!”
Ai në fund tha se kjo dhimbje duhet ta bëjë më të fortë kujtimin për viktimat dhe për idealet e tyre.
“Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre dhe perspektivën për një jetë më të mirë!”“Shërim të shpejtë të lënduarve! Kujtimi dhe Anjeza, pushofshin në paqe!
Ngushëllime të gjithë familjarëve të viktimave për humbjen e më të dashurve të tyre!”