Përfaqesuesja e Kosovës do të luajë më 15 nëntor një nga ndeshjet më vendimtare në kualifikueset për Kupën e Botës 2026, përballë Sllovenisë në transfertë. Një pikë nga kjo përballje do të ishte e mjaftueshme që “Dardanët” të sigurojnë një vend në fazën “play-off”.
Por përballja e shumëpritur ka sjellë edhe zhvillime të pazakonta jashtë fushës. Për herë të parë, Federata e Futbollit të Sllovenisë është detyruar të pezullojë përkohësisht procesin e shitjes së biletave, për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm nga tifozët e Kosovës.
Në një njoftim zyrtar, federata sllovene ka bërë të ditur: “Për blerjen e biletave në sektorin e mysafirëve, ju lutemi kontaktoni federatën e futbollit të ekipit mysafir. Gjatë blerjes së biletave në sektorin për tifozët sllovenë, duhet të respektohen rreptësisht të gjitha rregullat dhe udhëzimet e përcaktuara nga organizatori. Hyrja në stadium (përveç sektorit të mysafirëve) NUK do të lejohet me simbole të përfaqësueses së Kosovës.”





