Të dhënat personale, si emër, atësi, mbiemër, ditëlindje, adresë poste elektronike (e-mail), e deri tek numrat e telefonit të më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh kanë përfunduar falas në tregun e zi të internetit.Informacionet personale janë grumbulluar para më shumë se 2 vitesh, kur Facebook pranoi se kishte një problem me sigurinë, por ky rast tregon sesa shumë informacion grumbullon Facebook nga klientët e tij.Në rastin e Shqipërisë, janë fiks 506 mijë e 602 përdorues të rrjetit social më të madh në botë, të dhënat e të cilëve janë grumbulluar nga hakerat dhe më pas kanë përfunduar në tregun e zi të internetit.
Një pjesë të mirë të tyre, sipas platformës “The Hacker News”, e njohur për këshillat dhe ekspertizën që jep në fushën e mbrojtjes kibernetike mund t’u jenë zbuluar edhe të dhëna të ndjeshme, siç është numri i telefonit.
I ftuar në “Wake Up”, Brenton Bënja nga “GeekRoom.al” bëri të ditur se gjithçka u zbulua të shtunën dhe nga ky skandal i madh janë prekur edhe shqiptarë.“Gjithçka në fakt shpërtheu këtë të shtunë, kur Alon Gal, i cili është një monitorues të dhënash online, publikoi në Twitter se 503 milionë llogari të përdoruesve të Facebook janë bërë publike në ‘dark web’.
Në fakt, paralajmërimi i tij i parë nisi që në janar, por atëherë nuk dihet se për çfarë të dhënash bëhej fjalë.Dihej vetëm që këto të dhëna po shiteshin në Telegram. Tani gjithçka është bërë publike, tani gjithçka dihet që emri, mbiemri, atësia, ditëlindja, vendlindja, statusi civil, vendbanimi dhe çfarë është më shqetësuese adresa e e-mail dhe për pjesën më të madhe edhe numri i telefonit, janë bërë publike.Shpeshherë Shqipëria nuk përfshihet nga këto mega-skandale, sepse ndoshta nuk ka interes. Megjithatë, në këtë rast flasim për 106 shtete të prekura dhe sigurisht në këtë rast do të bënim pjesë. Janë 506 mijë llogari të shqiptarëve që janë prekur”, tha ai.