Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula, ka bërë thirrje që qytetarët të mos shqyejnë fletëvotimet, duke paralajmëruar se një veprim i tillë përbën vepër penale të dënueshme me burgim nga një deri në tre vjet.
Në një prononcim për KTV-në, Pula ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve janë evidentuar dy deri në tri raste kur votues të caktuar kanë shqyer fletëvotimet e tyre, fenomen që sipas saj po shfaqet si dukuri gjatë procesit zgjedhor.
“Gjatë ditës së sotme ka filluar të bëhet dukuri një gjë, kemi dy apo tri raste ku persona të caktuar kanë shqyer fletëvotimet, shpesh ndodh që kjo të bëhet edhe pa e ditur pasojën e shkatërrimit të fletëvotimit dhe dua të bëj apel që edhe këto orët e fundit që kanë mbetur dhe ata që kanë dalë të votojnë, të mos asgjësojnë dokumentin e fletëvotimit ngase kjo është vepër penale dhe dënimi nuk është hiç më pak se një deri në tri vjet. Unë e kuptoj se njerëzit mund të jenë të revoltuar dhe nga mosdija që është vepër penale e shqyejnë, prandaj mirë do të ishte të jenë të vëmendshëm dhe mos ta bëjnë një veprim të tillë”, ka thënë ajo.
Ajo bëri të ditur se organet e drejtësisë kanë trajtuar gjatë ditës edhe raste të tjera që lidhen me procesin zgjedhor. /koha.net/