Rritja e çmimeve në treg ka reflektuar drejtpërdrejt edhe tek kurbanet këtë vit, duke e çuar çmimin e therjes së një kurbani në Kosovë deri në 400 euro.
Fermerët thonë se shtrenjtimi i ushqimit për kafshë ka rritur ndjeshëm koston e mbajtjes së bagëtive, ndërsa organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo situatë po e vështirëson edhe më shumë mundësinë e familjeve dhe donatorëve për të kryer obligimin e kurbanit gjatë festës së Kurban Bajramit. Edhe Bashkësia Islami e Kosovës sivjet ka rritur çmimin për therjen e një kurbani në Kosovë në 200 euro, sa ishte vitin e kaluar 180.
Fermeri Adhurim Berisha thekson për KosovaPress se këtë vit çmimet e kurbaneve në fermën e tyre sillen nga 220 deri në 400 euro, ku në çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Megjithatë ai shpjegon disa faktorë që kanë çuar në ngritjen e çmimeve.
“Sivjet për momentin kurbani është nga 220 euro deri në 400 euro në fermën tonë, ku në çmim përfshihet edhe therja e kurbanit. Sivjet, ndoshta kisha me thanë ka pak një ngritje të vogël, mirëpo jo edhe shumë në krahasim me vitin e kaluar. Tu e marrë parasysh se tash edhe ushqimet ose produktet bazë të delet janë shtrenjtua, duhet që edhe na me shtrenjtua kurbanin. Për shembull sivjet u shkua deri 5 euro një dëng i sanës, vitin e kaluar ka qenë një euro e gjysmë deri dy euro. Ngritja e çmimit drithnave, po ashtu edhe këtë tu e marrë parasysh se gjithçka u shtrenjtua”, tha ai.
Ai theksoi se çmimet ndryshojnë varësisht nga lloji i kafshës.
Ai theksoi se çmimet ndryshojnë varësisht nga lloji i kafshës.
Ndërkaq, organizata humanitare “Islamic Relief Kosova” thotë se tash e 26 vite realizon shpërndarjen e mishit të kurbanit për familjet me jetimë dhe familjet në asistencë sociale. Menaxheri i departamentit për ngritjen e fondeve lokale në këtë organizatë, Lavdim Gashi, tha se rritja e çmimit të kurbanit këtë vit ka ardhur si pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve në treg dhe kërkesës së madhe për kafshë.
“Fatkeqësisht ashtu siç na kanë përcjellë rritja e çmimeve në treg e cdo gjëje, e çdo produkti, rrjedhimisht ka ndikuar edhe te cështja e kafshëve të kurbanit. Vecanërisht tash që kërkesa është shumë e lartë, kështu, në aspektin jo vetëm në Kosovë po edhe jashtë, në krejt botën, edhe dihet, çdo herë faktikisht, çdo Bajram kanë shkuar duke u rritur çmimet. Po është dicka që nuk është e varur, nuk varet prej nesh, varet prej furnitorëve. Mirëpo ne kemi dashur në këtë rast me ofruar mundësi për donatorët tanë të cilët, për të cilët mundet me qenë shuma e lartë, e që është 200 euro nuk është edhe e vogël”, thekson Gashi.
Gashi shpjegoi edhe procedurat që ndjek organizata për identifikimin e familjeve përfituese dhe shpërndarjen e mishit të kurbanit.
Ai theksoi se organizata aplikon kritere strikte për furnitorët dhe kontrollin e mishit para shpërndarjes.