Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se e mirëpret dhe përshëndet vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me rastin ndaj pesë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Lipjan, për të cilët ishte caktuar masa e paraburgimit nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
“Ky vendim i Gjykatës së Apelit, që anulon aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e kthen çështjen në rivendosje, është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të parimeve të drejtësisë dhe të procesit të rregullt ligjor. Vendimi gjithashtu thekson mungesën e analizës së plotë të provave relevante dhe të besueshme, duke nënvizuar nevojën për qasje objektive dhe të paanshme në çdo rast që përfshin zyrtarë të rendit. Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e papërgjegjshme dhe tendencioze të raportimit nga disa media të shkruara dhe elektronike, të cilat edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit vazhdojnë të përdorin gjuhë stigmatizuese, duke e cilësuar këtë rast si “vrasje” pa asnjë fakt, provë apo vendim përfundimtar gjyqësor. Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me etikën profesionale të gazetarisë, por rrezikojnë edhe perceptimin publik ndaj një institucioni kyç të sigurisë – Policisë së Kosovës”, shkruan në reagimin e SPK-së.
SPK u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve të drejtësisë që “të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe integritet të plotë, duke mos lejuar ndikime të jashtme, sidomos nga presioni mediatik, që cenon besimin qytetar dhe dëmton vetë procesin e drejtësisë”.





