Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka reaguar kundër raportimit mediatik dhe publik në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sidomos në raste tragjike ose incidente që janë ende nën hetim. Sindikata ka kërkuar që të tregohet ndjeshmëri më e lartë për ruajtjen e dinjitetit të zyrtarëve të rendit të sigurisë, duke marrë shembull rastet e rreshterëve Afrim Bunjaku dhe Muhamed Lika.
“Sindikata e Policisë së Kosovës, me shqetësim të vazhdueshëm, ka ndjekur praktikat e fundit të raportimit mediatik dhe publik në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sidomos në raste tragjike ose incidente që janë ende nën hetim. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të zyrtarëve të rendit, ndjejmë obligim të reagojmë me përgjegjësi dhe maturi. Së pari, dëshirojmë të theksojmë rastin e Rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Deklarimi i fundit në një medium publik të vendit nga gazetari Branislav Krstiç, që mohon rënien e heroit, është i papranueshëm dhe përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit, rreshterit Afrim Bunjaku. Po ashtu, dëshirojmë të nënvizojmë figurën e Rreshterit Muhamet Lika – luftëtar i lirisë, pjesëtar i dalluar i Policisë së Kosovës dhe anëtar i përkushtuar i Sindikatës sonë – i cili u vra në krye të detyrës para pak kohësh. Lika, që nga radhët e UÇK-së e deri te pozita e tij në Policinë e Kosovës, ka qenë shembull i përkushtimit dhe profesionalizmit. Tentativa e fundit për ta përfshirë në teori konspirative rreth vrasjes së tij përbën përpjekje të papranueshme për devijimin e hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij dhe të institucionit që ai i shërbeu me nder”, shkruan në reagimin e kësaj sindikate.
Gjithashtu, kjo sindikatë ka shprehu shqetësimin edhe për publikimin e menjëhershëm në media dhe rrjete sociale të emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të Policisë të përfshirë në ndonjë rast, ndërkohë që proceset hetimore nuk kanë përfunduar.





