Sindikata e Arsimit, ka paralajmëruar se me datë 1 shtator i gjithë sistemi arsimor do të jetë në grevë në rast se deri nesër qeveria nuk reflekton karshi kërkesave të tyre. Po ashtu, kësaj greve pritet t’i bashkëngjitët edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë.
Viti i ri shkollor pritet ta gjejë tërë sistemin arsimor në grevë në rast se deri atëherë qeveria nuk reflekton ndaj kërkesave të tyre. Këtë e bëri të ditur Ymer Ymeri, nga Sindikata e Arsimit, i cili tha se në rast se deri nesër nuk do të reflektojë qeveria karshi kërkesave të tyre, me 1 shtator do të këtë grevë të përgjithshme e të cilën do ta shpallë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë.
“Nëse deri me datë 1 shtator nuk do të këtë marrëveshje me qeverinë do të ketë grevë të përgjithshme në kohë të pacaktuar deri në realizimin e kërkesave, ku pjesë e saj do të jetë edhe sistemi arsimor në vend. Nëse edhe sot nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë, nesër pritet që kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës të dalë në konferencë për medie dhe të shpallë datën e grevës se përgjithshme dhe formimin e këshillit grevist”, ka theksuar për RTK Radio, Ymer Ymeri.





