Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka ftuar të hënën, Qeverinë e Kosovës që të reflektojë lidhur me realizimin e kërkesave të tyre, në mënyrë që të ndërpritet greva e nisur më 25 gusht.
Në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi, tha se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.
BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët”, tha Gashi.
REL-i ka kërkuar përgjigje edhe zyra për informim e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me atë se a pritet ndonjë takim dhe zgjidhje me Këshillin Grevist, por deri më tani, nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje.
