Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka thënë se kërkesat e tyre janë ato dhe nuk ndryshojnë.
“Siguri që mos të na vonohet paga dhe kërkesa e dytë dorëheqja e kryeshefit”, ka thënë ai.
Januzi ka kërkuar që çështja e minatorëve të mos politizohen.
Islam Ahmeti, anëtar i kryesisë së Sindikatës ka thënë se ata nuk dinë politikë.
“Për një person po doni me i mbyt 300 veta. Nëse doni me ba president bëne, por ai është njeri i dështuar … Janë njerëzit që 8 ditë nuk i kanë parë fëmijët e tij. Ky njeri në çdo gjë është i dështuar. Ne duam që këtë person mos me pa aty, ose një besë po ua jap vet kemi me nxjerrë”, ka thënë ai.
Gani Osmani ka thënë se që të intervenohet sa më shpejtë, pasi që kanë kaluar 8 ditë dhe gjendja e minatorëve është përkeqësuar.
“Gjithkund bëhet politikë veç në ‘Trepçë’ jo. Minatorët punojnë, politikë nuk bëjnë”, ka thënë ai.
Ndërsa minatori Sami Peci i pranishëm në takim ka kërkuar që të bëhen bashkë të gjithë dhe të gjejnë zgjidhje sa më shpejtë që t’i shpëtojnë minatorët që janë në grevë.