LAJME

Sinan Osmani në mbrojtje të Muriqit: Ofendimet ndaj tij janë fyerje për gjithë prizrenasit

Sinan Osmani në mbrojtje të Muriqit: Ofendimet ndaj tij janë fyerje për gjithë prizrenasit
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Prill 2026, 21:06

Trajneri i njohur prizrenas, Sinan Osmani, ka reaguar publikisht në mbrojtje të sulmuesit të Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, pas ofendimeve të fundit ndaj tij. Në një shkrim të publikuar, Osmani i ka cilësuar këto sulme jo vetëm si personale, por si fyerje ndaj gjithë qytetarëve të Prizrenit.

Osmani ka rikujtuar fillimet e karrierës së Muriqit, duke theksuar se gjatë periudhës 2008–2016, kur shërbente si koordinator në shkollën e futbollit të KF Liria, pati rastin të ndjekë nga afër zhvillimin e tij. Sipas tij, Muriqi ishte regjistruar në këtë shkollë që në vitin 2005 dhe kishte kaluar të gjitha grupmoshat deri te ekipi i parë, ku u dallua me paraqitje të shkëlqyera.

Ai kujton se sezoni i fundit i Muriqit me Lirinë ishte ai 2012/13, periudhë në të cilën klubi drejtohej nga trajneri Skender Kapra, ndërsa drejtor sportiv ishte Hatmi Gashi. Pikërisht në atë kohë, Muriqit iu hap rruga për transferimin në Shqipëri, duke nisur kështu një karrierë ndërkombëtare.

Rrugëtimi i tij vazhdoi me angazhime në klube si KF Teuta dhe KF Besa, për të kaluar më pas në Turqi te Fenerbahçe, në Itali te Lazio, dhe aktualisht në Spanjë te RCD Mallorca.

Në reagimin e tij, Osmani vë në pah edhe vlerat e bashkëjetesës në Prizren, duke e cilësuar qytetin si një shembull të harmonisë dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme. Ai thekson se përdorimi i gjuhës turke nga një pjesë e qytetarëve është pjesë e identitetit lokal dhe nuk duhet të jetë shkak për paragjykim.

“Ofendimet ndaj Vedatit nuk janë vetëm ndaj tij, por ndaj gjithë prizrenasve dhe shqiptarëve që gjykohen për gjuhën që flasin,” thekson Osmani, duke shtuar se sulmet e tilla nuk e cenojnë figurën e Muriqit, i cili sipas tij e njeh mirë identitetin dhe vlerat që përfaqëson.

Në fund, ai e cilëson Vedat Muriqi si një shembull për të rinjtë dhe një krenari për Prizrenin dhe gjithë kombin shqiptar, duke nënvizuar se suksesi i tij është rezultat i punës, sakrificës dhe përkushtimit.

 

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika