Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka konfirmuar se në përputhje me zotimin publik të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për mbështetjen e familjeve në nevojë gjatë sezonit dimëror, subvencionimi i energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm do të realizohet i plotë për periudhën e paraparë.
Sipas Ministrisë, për shkak të mosmiratimit me kohë të Ligjit të Buxhetit, ekzekutimi i pagesave për muajt janar dhe shkurt nuk ka mundur të realizohet sipas planifikimit fillestar. Tashmë, pas miratimit të Ligjit të Buxhetit për vitin 2026 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, procesi i subvencionimit do të vazhdojë ashtu siç është paraparë, njofton Ministria.
Siç bëhet e ditur në njoftim, subvencionimi për muajt janar, shkurt dhe mars do të reflektohet në faturën e muajit mars, për të gjitha familjet e kualifikuara që kanë qenë përfituese në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.





