Një hetim i nisur gjashtë muaj më parë ka përfunduar me pesë të arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se të njëjtit merreshin me fajde.
Tetë lokacione ishin bastisur, ishin zhvilluar disa takime mes të dyshuarve dhe viktimës, janë konfiskuar një mori dokumentesh, vetura e armë në aksionin e Policisë së Kosovës të udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.
Më 22 dhjetor ekipe të shumta policore ishin vendosur në Drejtorinë rajonale të Policisë në Prizren. Të njëjtit prisnin urdhrin të ndërhynin e të arrestonin disa persona të cilët dyshoheshin se jepnin fajde ndërsa kamata ishte e lartë.
Prokurori i cili hetoi rastin, Petrit Kryeziu, tregoi për “Kallxo Përnime” se si kishte arritur që të zbulonte grupin e fajdexhinjve.
Ai shpjegon se si djali i një biznesmeni në Prizren ishte viktima kryesore e këtij grupi.
“Rasti i fajdeve është nisur nga vetë viktima i cili ka vendosur ta raportojë rastin tek organet e ndjekjes, sapo kam marr raportin informues lidhur me këtë rast vullnetarisht e kam marrë, kam pasur takim dhe i kam ofruar siguri e mbështetje ligjore viktimës, sepse i njëjti ka qenë viktimë e shumëfishtë e fajdeve, nuk ka qenë te një person por te disa persona”, tregon prokurori Kryeziu.
Viktima nuk do kthente kamatën vetëm te një person por te një grup personash, disa prej të cilëve njiheshin mes vete.
Tutje siç shpjegon prokurori i rastit, babai i viktimës nuk ka qenë fare në dijeni për çka i kishte ndodhur djalit të tij dhe se i njëjti ishte njoftuar më pas.
Prokurori kishte vendosur që të mundësonte mbrojtje ligjore viktimës i cili tash e një kohë ishte duke dhënë kamatë për fajdetë që kishte marrë nga të dyshuarit.
“Personi ka rrëfyer lidhur me fajdetë se si ka filluar, ai ka tregu që ka filluar me lujtë lojëra të fatit ku një person ka qenë ai që e ka joshur, te ai ka marrë fillimisht, aty ka ra në kamata që nuk ka mujtë me i pagu me kohë”, shpjegon prokurori deri sa flet edhe se si u njoftua viktima me pesë të dyshuarit.
“Ky person (i dyshuari i parë) e ka orientu që duhet të shkojë të marrë diku tjetër, i ka preferu personin e dytë dhe nga personi dytë kështu i ka zgjedh dhe i ka referu te personat e tjerë që ka arrit numri pesë i personave që kjo viktimë ka marrë para në shuma joproporcionale për kthim, ku kamatat kanë arritur vlera të larta ku në fund nuk ka arritur edhe me i përballu andaj duke e pa situatën ka vendos me bashkëpunu me ne”, vazhdon Kryeziu.
Vetë prokurori potencon se në rastet e fajdeve zakonisht të dyshuarit zgjedhin personat që kanë gjendjen e mirë ekonomike për t’u dhënë fajde dhe për t’u marrë kamatë të njëjtëve.
“Duhet me potencu që viktima e këtij rasti rrjedh nga një familje që është mesatarisht e pasur kanë biznes të vetin por si duket edhe fajdexhitë dinë t’i zgjedhin viktimat sepse ai të gjitha ato që i ka bërë i ka bërë pa dijeninë e prindit të tij”, shton Kryeziu.
Rasti i muajit të kaluar i fajdeve në Prizren nuk është i pari. Kjo pasi që edhe në të kaluarën ka pasur aksione dhe arrestime të të dyshuarve për fajde në këtë rajon.