Vitet e fundit kanë qenë të veçanta e të vështira për të gjithë. Jo çdo rrëfim, si kryefjalë duhet ta ketë pandeminë me Covid-19, por edhe qasjen tonë ndaj proceseve e fenomeneve që e kanë shoqëruar punën tonë. “Të gjithë kemi ndryshuar”, është pohimi që dëgjohet më së shpeshti dhe menjëherë kemi një pikë referimi për shkaqet e këtij “ndryshimi”. Në të vërtetë, çka ka ndryshuar? Kësaj pyetje është vështirë t’i jepet përgjigje, por në disa elemente pajtohemi të gjithë. Njerëzit janë vënë në lëvizje: Nga një shtet në tjetrin, nga një regjion në tjetrin, nga një kontinent në tjetrin. Çfarë po e shkakton këtë? Përpjekja për jetë më të mirë, hapësira e pamjaftueshme për të sendërtuar ëndrrat tona apo një zbrazëti që të gjithë e ndjejmë dhe e perceptojmë në mënyrë personale? Të gjithë janë vënë në lëvizje për diku e njëkohësisht duke ikur nga diçka.
Bota po ndryshon. Në një kontekst të ri multipolaritetit, përveç individëve, edhe shtetet po përpiqen ta (ri) gjejnë apo (ri) dizajnojnë hapësirën e vet-për interesat e tyre gjeostrategjike afatgjata e afatshkurtra? Kur harxhohen mjetet demokratike, stadi tjetër është lufta: Plot drama njerëzore, vuajtje, vrasje, tragjedi. Lufta në Ukrainë po dëshmon se barbaria njerëzore riciklohet në mënyrë periodike ndërsa dashuria për të qenë i lirë mbetet minimumi ekzistencial i një qenieje normale. Çdo fillim e ka një fund, për t’ia nisur përsëri nga diçka e re. Në transformimet shoqërore e zhvillimet globale, as shkolla si institucion me rëndësi jetike nuk ka mbetur pa u prekur. Dhe, problem mbi problememt mbetet përsëri edukimi dhe arsimimi. Në krejt këto zhvillime e ndryshime apo edhe transformime, mbi sistemin arsimor bie një barrë më e madhe se zakonisht. Jeta dinamike e prindërve e ka kufizuar kohën e të qëndruarit me fëmijët. Bota digjitale, përveç mureve që ne kemi krijuar, por krijon edhe barrierën tjetër-komunikimin njerëzor. Gjithçka është bërë virtuale, duke filluar nga miqësia, puna e jeta. A mundet shkolla sot t‘i plotësojë të gjitha këto zbrazëti e vetme? Sigurisht që jo! Shkolla nuk mund ta kompenzojë gjirin e ngrohtë të familjes. Shkolla nuk mund ta plotësojë mungesën e afërsisë njerëzore, të shkaktuar nga distancimi social që reflektohet në sjelljet e fëmijëve në shkollë – në intolerancën, në superegon dhe në personalitetin që është gjithmonë në lëvizje e në kërkim të diçkaje që as vet nuk e di se ç‘është. Ndryshimet dhe transformimet në një shoqëri hetohet më së lehti në sjelljet e fëmijëve. Pa marrë parasysh përgatitjen shkollore të prindërve dhe formimin e tyre, të gjithë kanë një shqetësim: Si t‘i edukojmë fëmijët? Çfarë është parësore në kërkesat që duhet të kemi ndaj tyre? Çka është sjellje e pranueshme, e çka e papranueshme? Para këtyre pyetjeve askush nuk duhet të rrijë indiferent: As familja e as isntitucionet tjera shtetërore, duke përfshirë të parën, shkollën. Nxënësit sot lexojnë më pak libra të detyrueshëm, por lexojnë më shumë materiale sipas dëshirës së tyre. Nxënësit sot fusin në trurin e tyre më shumë imazhe nga interneti e bota virtuale, se sa nga natyra. Nxënësit sot janë të bombarduar nga të gjitha anët me përmbajtje të cilat shaktojnë huti edhe për më të rriturit, e lëre më për ta. Dhe, përsëri dalim te vlerat! Çfarë është vlerë sot? Materialja apo shpirtërorja? Çfarë janë modelet jetësorë që u servohen nxënesve sot nga mediet, rrjetet sociale etj.? Ku është kufiri ku duhet të ndalemi e të themi: „Mjaft“! Dhe, kjo, për një arsye të thjeshtë se, limitet na ndihmojnë të shohim se universi është i pafund dhe ne duhet të ndalemi në një pikë e të kënaqemi me atë që kemi e me atë që jemi!
Para shkollës, në çdo kohë, shihen prindër që i sjellin fëmijët në shkollë dhe që pas mësimit i marrin përsëri. Me plot përkushtim e dashuri, që ata e japin sipas mënyrës së vet. Dhe, po t’i pyesësh, sescili ka një shqetësim në vete dhe një dozë droje se ajo ata që vërejnë te fëmijët e tyre nuk është ajo e duhura. Dhe, përsëri vijojnë të bëjnë të njëjtën gjë, pa e ditur a po e bëjnë më të mirën për ta. Cila është më e mira, pyet secili nga ne?





