Bashkimi Evropian është duke përgatitur plane emergjente për të kufizuar rritjen e çmimeve të energjisë. Blloku i 27 vendeve evropiane është duke analizuar edhe mundësinë e ndarjes së çmimeve të energjisë nga çmimet në rritje të gazit, por edhe reforma tjera afatgjata, me qëllim të sigurimit që çmimet të reflektojnë energji të ripërtërishme më të lirë.
Ministrat e Energjisë nga vendet e BE-së, do të takohen më 9 shtator për të diskutuar si të menaxhojnë situatën me çmimet në rritje.
Çmimet e energjisë në Evropë janë rritur prej vitit të kaluar, por rritja më e madhe është vërejtur pas luftës së Rusisë në Ukrainë, periudhë kur Rusia ka kufizuar furnizimet me gaz në kontinent. Qeveritë evropiane kanë akuzuar Moskën se po përdor energjinë për të shantazhuar Perëndimin, i cili ka sanksionuar Rusinë, pas nisjes së luftës.
Kompania ruse e energjetikës Gazprom ka thënë se ndërprerja e furnizimit është pasojë e sanksioneve të Perëndimit dhe çështjeve tjera teknike.
Ndryshimi i sistemit të energjisë brenda BE-së mund të jetë proces kompleks dhe i gjatë, pasi tregtimi i energjisë brenda kufijve të bllokut ka marrë dy dekada kohë për të marrë formën e vet. Megjithatë, ligjvënësit janë duke garuar për të gjetur një zgjidhje afatshkurtër.