Një numër i madh i armëve ilegale janë në posedim të qytetarëve.
Kjo i ka alarmuar edhe organet e sigurisë në vend, duke i shtuar edhe angazhimet në aktivitetet për sekuestrimin e tyre.
Sipas ekspertit të sigurisë Drizan Shala, Ministria e Punëve të Brendshme duhet që të hartojë një program me procedura të thjeshta për ta bindur qytetarin që të dorëzojë armën.
Shala tha për Klankosova.tv se në këmbim atij t’i jepet arma nga shteti, duke e futur kështu në kontroll personin i cili e posedon armën.
“MPB-ja duhet urgjentisht të hartojë një program të thjesht me pak procedura teknike burokratike për të bindur qytetarin që të dorëzojë armën e tij dhe në këmbim të veprimit të merr armën nga shteti duke e futur në kontroll institucional personin që e posedon armën” – tha Shala.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës por as ato ndërkombëtare nuk kanë arritur që përmes kampanjave që i kanë zhvilluar t’i konfiskojnë armët ilegale.
“Në lidhje me armët ilegale që janë në duart e qytetarëve të Kosovës, kjo është si rezultat që asnjëherë institucionet s’kanë pasur mundësi as ato vendore por edhe ato ndërkombëtare t’i asgjësojnë përmes kampanjeve të ndryshme që janë zhvilluar në Kosovë”- theksoi Shala.
Eksperti i sigurisë thotë se duhet edhe shtimi i patrullave dhe kontrollime gjithëpërfshirëse në gjetjen e personave që bartin armë ilegale.
“Ndërsa në anën tjetër masë preventive është shtimi i patrullave në pika të ndryshme duke bërë kontrollime gjithëpërfshirëse në gjetjen e personave që bartin armët ilegale “- thotë eksperti i sigurisë.
Mëngjesin e së shtunës një vrasje e rëndë tronditi qytetin e Ferizajt. Por kjo nuk ishte e vetmja që ndodhi gjatë vitit 2022. Në periudhën janar-prill të vitit 2022 kanë ndodhur shtatë raste të vrasjeve në Kosovë.
Vetëm gjatë vitit 2021, 1 mijë e 280 armë të cilët qytetarët i kanë mbajtur pa leje në duart e tyre.
Policia ka konfiskuar gjithashtu edhe një numër të madh të municionit.
Gjatë vitit të kaluar organet e rendit kanë konfiskuar mbi 42 mijë copë municion të kalibrave të ndryshëm.