Sot Kosova është zgjuar me një lajm të hidhur. Në moshën 84 vjeçare ka ndërruar jetë profesori , veprimtari dhe intelektuali i shquar, Abdullah Karjagdiu.
I ndjeri ka lindur më 24.12.1936 në Prizren. Ishte ndër profesorët e parë universitar të gjuhës dhe letersisë angleze, doajen dhe korife i letërsisë angleze dhe amerikane, autor i dhjetëra veprave universitare, përkthyes i shumë kryeveprave letrare dhe ndër profesorët dhe veprimtarët politik më të spikatur dhe më aktiv për shumë gjenerata. Ka qenë bashkëpunetor i ngushte i Ibrahim Rugovës dhe Adem Demaçit.
Gjate karrierës se tij të begatë dhe të larmishme ai ka ushtruar edhe funksionet si: Shef i Departamentit të anglishtes, Prodekan dhe Dekan i Fakultetit të Filologjisë, nënkryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane dhe i Partisë Parlamentare, Kryetar i Shoqatës së Shekspirologëve dhe i Shoqatës së Përkthyesve, Drejtor i Institutit të Gjuhëve të Huaja, etj. Ka qenë një ndër intelektualët, studiuesit, profesorët dhe veprimtarët më të dalluar.





