Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar po bëjnë thirrje që njerëzit të shtojnë vitaminën D në ushqime të zakonshme si buka dhe qumështi për të luftuar Covid-19. Kjo vlen për njerëzit që kanë mungesë të kësaj vitamine në organizëm.
Megjithatë pavarësisht kësaj, Shëndeti Publik në Angli dhe Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social i kanë refuzuar thirrjet e shkencëtarëve për të shtuar vitaminën D në ushqime si qumështi, buka dhe lëngu i portokallit, gjë që është praktikë në Finlandë, Suedi, Australi, Sh.B.A dhe Kanada, raporton The Guardian.
Organizimi i njeriut e merr vitaminën D pjesërisht nga rrezet e diellit dhe pjesën tjetër përmes ushqimeve. Kohëve të fundit, shkencëtarët e kanë lidhur mungesën e vitaminës D në organizëm me rrezikshmëri më të madhe për t’u infektuar me Covid-19 ose me rrezikshmëri më të madhe për të pasur simptoma të rënda.
Hulumtime të tjera tregojnë se pacientët me nivele më të ulëta të vitaminës D, të cilët diagnostikohen me Covid-19, kanë tendencë të kenë simptoma më të këqija. Megjithatë jo të gjitha studimet e lidhin këtë vitaminë me mbrojtjen ndaj virusit. Shumë shkencëtarë janë duke vëzhguar rëndësinë e vitaminës C dhe zinkut. Në një studim, ekspertët në Spanjë raportuan se pacientët me nivele të ulëta të zinkut në gjak kishin më shumë të ngjarë të ndërronin jetë nga Covid-19.
Momentalisht nuk ka ende një studim të miratuar gjerësisht për të gjitha lidhjet shkak-pasojë të vitaminës D dhe koronavirusit, megjithatë provat e deritanishme vërtetojnë se mungesa e saj në organizëm mund të shkaktojë probleme dhe jo vetëm me Covid-19.
Sidoqoftë, rëndësia e saj për një imunitet më të fortë është pranuar nga të gjithë studiuesit. Theksojmë se vitamina D, përpos vitaminës C dhe zinkut, jepet në recetën mjekësore për të infektuarit me Covid-19.