LAJME

Shtëpia e familjes Bardhi në Prizren po i nënshtrohet restaurimit

Shtëpia e familjes Bardhi në Prizren po i nënshtrohet restaurimit
TV Prizreni
TV Prizreni
9 Maj 2022, 17:24

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, njofton se kanë filluar punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Bardhi, e cila gjendet në zonën e VI-të, zonë e shfrytëzimit të përzier dhe e banimit në qendrën historike, respektivisht në rrugën “Mehmet Pasha” në Prizren. Shtëpia e familjes Bardhi, bazuar në stilin arkitektonik, teknikës dhe materialit të ndërtimit, konsiderohet të jetë ndërtuar në shekullin XIX.

Është ndërtesë dykatëshe, e ndërtuar me material prej guri dhe qerpiçi, të sistemit “bondruk” me trarëza prej druri.

Shtëpia ka shërbyer gjatë gjithë kohës për funksion banimi, ndërsa së fundmi për një kohë të gjatë ka qenë e pabanueshme. Sipas raporteve dhe hulumtimit që janë bërë gjatë inspektimit të kësaj ndërtese nga punonjësit profesional të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është konstatuar se pasi që për një kohë të gjatë nuk është investuar në mirëmbajtjen e saj, janë shfaqur shumë probleme në këtë ndërtesë të cilat mund ta rrezikojnë në tërësi atë.

Andaj marrë për bazë këtë fakt, nga QRTK Prizren është hartuar projekti i restaurimit dhe konservimit për tu bërë pjesë e programeve të financimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, thuhet në fund të njoftimit nga QRTK në Prizren.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika