Turizmi, një nga sektorët kryesorë të ekonomisë i cili ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit, ka marrë frymë në vitin 2021, pas periudhës së vështirë që kaloi nga pandemia. Të huajt shpenzuan në vend 1.9 miliardë euro në 2021, shumë që është dy herë më e lartë sesa vitin e kaluar dhe 8.2% më e ulët sesa në 2019-n, që deri tani ka qenë viti më i mirë për turizmin në Shqipëri.
Rimëkëmbja ka ardhur në gjysmën e dytë të vitit, ndërsa pjesa e parë, kur pandemia shënoi një valë tjetër në Evropë, ishte e dobët për turizmin. Tremujori i tretë 2021 ishte i vetmi që shënoi të ardhura të barabarta me të njëjtën periudhë të para-pandemisë, duke arritur në 786 milionë euro. Kjo është dhe periudha kur ka një fluks të shtuar të turistëve në vend. Edhe në tremujorin e katërt, të ardhurat ishin pothuajse sa e njëjta periudhë e 2019-s.
Turistët nga Kosova mbajtën peshën kryesore dhe kompensuan uljen e hyrjeve të turistëve të tjerë nga Evropa, që nuk u kthyen në vend as në vitin 2021. Sipas INSTAT, pesha e turistëve nga Kosova në 2021 ishte 47% e totalit, nga 33% në 2019-n.






