Dasma të cilat janë caktuar në lokale të mbyllura për këtë verë, do të duhet të anulohen.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk jep shpresa për lejimin e realizimit të ngjarjeve në ambiente të mbyllura, duke marrë parasysh situatën e volitshme me COVID-19.
Filipçen u pyet nëse nga 1 korriku pritet të ketë zbutje shtesë të masave antiCOVID, gjegjësisht protokolleve.
“Komunikimin e fundit që e kemi pasur me KSI tregon se ata janë të mendimit që këtë verë ngjarje masovike, në ambiente të mbyllura të mos mbahen”.
Kjo deklaratë nuk i konvenon pronarëve të restoranteve, të cilët tashmë kanë të caktuara data për ahengje. Lulzim Hasani vendimin e autoriteteve shëndetësore e vlerëson si diskriminues. Ai tha se Shoqatë e gastronomëve u ka dërguar letër të hapur Ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe Ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit para dy ditësh. E nëse nuk u lejojnë dasmat, ata nuk do i pyesin.
“Kërkesa që e kemi dërguar deri tek MSH dhe ME është që të na lejohet edhe ne i njëjti protokoll pasi që me gjithë klientët që kemi rezervu dasmat, ne ende me asnjërin nuk e kemi anulu, jemi në prag të sezonit dhe edhe njëherë po i bëjmë apel MSH dhe ME dhe KSI që të na kenë parasysh sepse ne më nuk kemi rrugëdalje tjetër”, deklaroi Hasani.
Drejtori i Institutit për Shëndet Publik, Shaban Memeti flet me optimizëm për situatën me Covid-19. Ai thotë se nuk pret rritje të numrit të të infektuarve në nivel ditor, duke shtuar se vendimet për masat i merr Komisioni për sëmundje ngjitëse.
“Situata në Maqedoninë e Veriut në regjion dhe më gjerë, kemi një ulje të rasteve pozitive me Covid-19, sigurisht nënkupton edhe ulje të vdekshmërisë, në raport me disa rasteve që paraqiten me vonesë. Trajtimimi i pacientëve me Covid-19, të rasteve kronike dhe në kushte spitalore është 20 ditë. Respektohen masat preventive kundër Covidit, bëjmë vaksinimin masiv të qytetarëve dhe shpresojmë se gjatë kësaj periudhe nuk do të kemi rritje të rasteve pozitive. Por mbetet rekomandimi që masat duhet respektuar”, tha Shaban Memeti – Drejtor i Institutit për Shëndet Publik.
Kujtojmë që me lirimin e masave, organizimi i dasmave lejohet deri në 1000 persona në ambient të hapur. Të hënën do të mblidhet Komisioni i ekspertëve shëndetësor për të vlerësuar nëse nevojitet ndryshimi i masave aktuale./TV21.