Home SPORT Shqipëria në 168 ditë, viti 2023 jep shpresë dhe tani të gjitha rrugët të çojnë në Gjermani

Shqipëria në 168 ditë, viti 2023 jep shpresë dhe tani të gjitha rrugët të çojnë në Gjermani

0
Shqipëria në 168 ditë, viti 2023 jep shpresë dhe tani të gjitha rrugët të çojnë në Gjermani

Nga Polonia te Polonia. Viti 2023 nuk nisi shumë mirë për Shqipërinë, pasi në ndeshjen e parë zyrtare, atë ndaj Polonisë, “kuqezinjtë” u mposhtën me rezultatin 1-0 në Varshavë.

Ishte debutimi i trajnerit Sylvinho, që i mjaftuan 90 minuta për të nxjerrë mësimet e duhura, për të ndryshuar kurs dhe për t’i kthyer moralin dhe karakterin një grupi që ishte maksimalisht i uritur për të bërë mirë.

Sa shumë ndryshime në pak kohë. Nga ajo humbje, nga 27 marsi kanë kaluar 168 ditë, ndoshta në letër janë pak, por për Sylvinho-n jo.

Mjafton t’i hedhësh një sy formacionit, për të kuptuar se tani Shqipëria ka një identitet të ri, ka një organik më të pasur, me emra që deri dje nuk ishin as në planin B apo C dhe përpos kësaj, skuadra ka më shumë “zemër dhe shpirt”, moto-ja e trajnerit brazilian.

Kthesa e Shqipërisë erdhi ndaj Moldavisë, me “kuqezinjtë” që triumfuan 2-0 në Tiranë, në një ndeshje gati-gati perfekte.

Një formë që skuadra e Sylvinhos e ruajti edhe në transfertën e largët në Torshavn përballë Ishujve Faroe me suksesin 1-3, shkruan SuperSport.

Në letër, kundërshtar i kalueshëm dhe Shqipëria favorite, historia kishte treguar se pikërisht, në të tilla situata kishim hasur vështirësi dhe 45-minutat e para sollën hijet e të kaluarës, por më pas, fraksioni i dytë solli Shqipërinë e duhur dhe atë të vërtetën.

6 pikë në dy ndeshjet e muajit qershor dhe menjëherë Shqipëria u rikthye në lojë, ndërsa shtatori ishte kryefjala.

Pa diskutim që ky muaj pritej të ishte vendimtar, dhe i tillë rezultoi, sepse besimi ishte shumë i lartë dhe skuadra tregoi të gjitha cilësitë e saj në këtë muaj.

Një barazim me shumë vlera në Çeki dhe suksesi bindës ndaj Polonisë, dërguan Shqipërinë në vendin e parë në Grupin E dhe tani duket se të gjitha rrugët të çojnë në Gjermani verën e ardhshme.

Bilanci i vitit 2023 i jep akoma edhe më shumë shpresë, me tre fitore në pesë ndeshje, një barazim dhe një humbje, ndërsa përpara janë edhe tre finale, tre ndeshje ku euforia nuk duhet të jetë në fjalorin e Kombëtares, por natyrisht, shpresojmë të kemi fatin për të evituar çdo dëmtim dhe mungesë për ndeshjen e tetorit ndaj Republikës Çeke.

Viti 2023 ende nuk është mbyllur sepse fundi i tij do të jetë vendimtar dhe tani të gjithë e presin me padurim, por deri më tani ka mjaftuar për të thyer vitin e kaluar që ishte një zhgënjim me vetëm një fitore në 11 ndeshje, ndërsa tre fitore në një vit Shqipëria nuk i bënte bashkë prej vitit 2021.

Tetori është sa afër dhe larg, por populli kuqezi ka nisur numërimin mbrapsht sepse përballë Çekisë do të luhet një finale e parakohshme, në një duel ku “Shqiponja” do të bëhet gati të dalë nga foleja dhe të niset në fluturim me destinacion Gjermaninë, sepse kjo Shqipëri jep shpresë dhe të gjithë shqiptarët besojnë te kjo kombëtare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here