LAJME

Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në

Shqipëria mbyll sot tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Korrik 2026, 09:40

Shqipëria pritet që sot ta shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në Bruksel do të mbahet konferenca e 9-të ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e tre kapitujve të parë të negociatave.

Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë. Delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama, do të formalizojë mbylljen e kapitullit 25 (Shkenca dhe Kërkimi), kapitullit 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe kapitullit 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), fusha këto të harmonizuara me standardet e BE-së.

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e ka quajtur 14 korrikun një ‘super të martë’, ndërsa theksoi për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbahen katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë.

Të njëjtën ditë pritet që Mali i Zi të mbyllë edhe dy kapituj të tjerë, duke arritur numrin e kapitujve të mbyllur në 18. Ndonëse dallimi mes Malit të Zi dhe Shqipërisë në numrin e kapitujve të mbyllur do të jetë shumë i madh, këto dy vende tash konsiderohen si udhëheqëse në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sot pritet të hapen kapituj negociues edhe me Ukrainën dhe Moldavinë. Ndërkohë, përpjekja e Komisionit Evropian, Francës, Italisë, Spanjës, Greqisë dhe disa vendeve të tjera që të hapen kapituj edhe me Serbinë ka dështuar, sepse kundër ishin së paku nëntë vende anëtare të BE-së. Për secilin hap në procesin e zgjerimit, vendimet merren me konsensusin e të gjitha 27 vendeve anëtare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika