Shqipëria kryeson sot Debatin e Hapur të Nivelit të Lartë të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara.
Debati i hapur në Këshillin e Sigurimit, i cili do të drejtohet nga Kryeministri Edi Rama, do të ketë në fokus temat e sigurisë, paqes dhe luftës në Ukrainë.
Kreu i qeverisë shqiptare do të drejtojë një nga seancat më të rëndësishme të dekadës së fundit, me praninë e shumë krerëve të shteteve dhe qeverive.
Debatin e hapur, kryeministri shqiptar Rama do e drejtojë në krah të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidentit amerikan, Joe Biden.
Po ashtu, gjatë kësaj të mërkure,kreu i qeverisë shqiptare do të takohet dhe me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski (Zelensky), me të cilin do të nënshkruajë dhe një deklaratë.
Një ditë para mbajtjes së debatit të hapur, kryeministri Rama dha një videomesazh nga Nju Jorku ku bëri me dije se Shqipëria do të vërë theksin te nevoja për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë, sipas tij, për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, sidomos të paqes e sigurisë.
Sakaq, të pranishëm në javën e nivelit të lartë të sesionit të 78-të të OKB, ka qenë Ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe Presidenti Bajram Begaj.
Ky i fundit ka mbajtur dhe një fjalë në takimin e nivelit të lartë, ku theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm “është garancia më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e stabiliteti”.
Po ashtu, kreu i shtetit shqiptar ka zhvilluar një sërë takimet me personalitete të larta të shteteve apo qeverive në botë.
Begaj u takua gjithashtu edhe me Përfaqësuesin e Lartë dhe njëherazi zv.presidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell.
Gjatë takimit, Begaj ka falënderuar Borrelll për mbështetjen dhe vëmendjen e treguar për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht, për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kreu i shteti ka theksuar se një perspektivë e qartë evropiane e rajonit është garanci për sigurinë dhe të ardhmen e tij.