Në kuadër të përgatitjeve për të legalizuar kultivimin e kanabisit mjekësor, Qeveria e Shqipërisë të enjten ka njoftuar se do të themelojë Agjencinë Kombëtare për licencimin e kompanive që do të merren me këtë veprimtari dhe ka nisur hartimin e ligjeve që do ta rregullojnë atë.
Vendimi për të proceduar me krijimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale për kultivimin e bimëve narkotike për shkaqe shëndetësore vjen pas një ankete të administruar nga qeveria socialiste e udhëhequr nga Edi Rama në Shqipëri, në të cilën 61 për qind të qytetarëve që iu përgjigjën thirrjes së qeverisë për t’u deklaruar rreth kësaj dhe çështjeve të tjera, e përkrahën iniciativën.
Nga 500 mijë qytetarë që i janë përgjigjur pyetësorit të qeverisë, 308 mijë kanë mbështetur legalizimin e kultivimit të kanabisit, ndërkohë që 143 mijë e kanë kundërshtuar dhe rreth 50 mijë nuk kanë shprehur ndonjë qëndrim.





