Sot nga ora 16:00 do të përballen Shqipëria dhe Kosova, në takimin që zhvillohet në Elbasan
E Mërkurë, 11 Nëntor 2020 – 12:00albinfo.chFoto ilustrim © 2018 ALBINFO.CH
Shqipëria dhe Kosova do të përballen sot nga ora 16:00 në Elbasan Arena, në një miqësore vëllazërore. Takimi do të zhvillohet pa shikues, që është një mungesë e madhe, pasi interesimi do të ishte i madh.
Sidoqoftë, ky takim do t’iu shërbejë dy trajnerëve para dy ndeshjeve në Ligën e Kombeve.
Para takimit ka folur Edy Reja, përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare.
“Do të jetë një ndeshje e ndjerë, unë e kam të qartë pjesën sentimentale. Tifozët e ndjejnë shumë. Unë do të hedh në fushë një ekip kompetititv, për të bërë disa teste para dy ndeshjeve zyrtare që sigurisht janë shumë më të rëndësishme për ne. Unë pres që të jetë një ndeshje miqësore, pra shpresoj që lojtarët të jenë sa më të motivuar, pa kaluar limitet e një ndeshje miqësore. Uroj që të ketë një atmosferë të mirë”, u shpreh Reja.
Ai u përgjigj edhe në një pyetje interesante. Sa e vështirë është të motivohen lojtarët për të luajtur kundër Kosovës që i konsiderojmë si vëllezër?
“Nuk do doja të kishim luajtur një ndeshje me Kosovën në këtë moment, por të them të vërtetën ishte e vetmja skuadër e disponueshme. Siç e dini ne kishim një ndeshje me Gjilbratarin të programuar, ndërkohë që humbëm dhe ndeshjen miqësore me Armeninë, nuk mundëm ta zhvillonim për shkak të situatës. Dhe ishte një datë e vendosur nga UEFA të cilën ne duhet ta shfrytëzonim, kështu që duke qenë se ne na erdhi si mundësi të luanim me Kosovën, në rregull. Por thashë që nuk ishte momenti ideal, por ne do gjejmë motivin e duhur për ta luajtur si duhet këtë takim. Lojtarët e rinj të cilët kanë ardhur kanë stimuj për të treguar veten dhe unë jam i bindur se do të japin maksimumin për të treguar se e meritojnë që të jenë këtu me kombëtaren”, shtoi trajneri italian.
Para sfidës ka folur edhe përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes. “Kemi lojtarë që po luajnë në mënyrë konstante, por kemi edhe lojtarë që pothuajse nuk po luajnë fare. Kjo e bën pak të vështirë për të sinkronizuar ekipin, por mendoj se nëpër të njëjtat vështirësi është duke kaluar edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Sidoqoftë, duhet të fokusohemi që të marrim më të mirën dhe të kryejmë punën tonë. Sa i përket Shqipërisë mund të them se ka vërtetë ekip të mirë dhe më herët ka pasur një sukses goxha të madh, por nganjëherë suksesi është edhe i rrezikshëm dhe këtë ua kam thënë edhe lojtarëve të mi, pasi kjo ka ndodhur me Shqipërinë”, ka theksuar Challandes.
Gjithsesi, trajneri zviceran ka thënë se Shqipëria mbetet një ekip shumë i mirë dhe që ka lojtarë shumë kualitativ që tashmë luajnë në liga të forta.
“E kam të qartë se disa prej tyre nuk do të jenë në këtë takim por prapëseprapë Shqipëria mbetet një kundërshtar shumë i fortë dhe besoj që është kundërshtari i duhur për neve në këtë periudhë”, ka thënë Challandes, duke shtuar se do të mundohet t’i menaxhojë sa më mirë mungesat në ekip.
“Për ndeshjen me Shqipërinë i kam në dispozicion 21 futbollistë dhe kjo është e mjaftueshme. Do të bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve në bazë të minutave që kanë me klubet e tyre. Nëse kemi probleme tjera, atëherë do ta shohim nëse kemi nevojë për lojtarë të tjerë. Do ta shohim situatën e Paçaradës, nëse mund ta arrijmë një marrëveshje me regjionin e Hamburgut që ta lëshojë atë dhe të mos karantinohet kur të kthehet. Pastaj, duket parë edhe situatën e Idriz Vocës nëse do të jetë i gatshëm pas lëndimit që ta përfshijmë eventualisht në ekip për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka nënvizuar Challandes.