Fundi i tetorit shënoi përfundimin e periudhës një mujore gjatë së cilës, në pikat kufitare Shqipëri- Kosovë u zbatua procedura e kontrollit të dokumenteve të identifikimit për të gjithë shtetasit që kalonin në dy anët e kufirit. Ndërsa që nga 1 nëntori, në të gjitha pikat e kalimit kufitar mes dy vendeve është rikthyer procedura e kalimit të lehtësuar të kufirit pa kontrolle për qytetarët që udhëtojnë me automjete të pajisura me targat e Shqipërisë dhe Kosovës.
Marrëveshja e përbashkët ndërqeveritare mes dy shteteve për këtë procedure të lehtësuar në kufi do të jetë në fuqi për një periudhe tre mujore deri më 28 shkurt.
Marrëveshja ndërqeveritare përcakton një periudhë 9 mujore përgjatë vitit për procedurën e thjeshtëzuar e ndarë në dy periudha. E para që përkon me sezonin turistik nga data 1 maj deri më 30 shtator, ndërsa periudha tjetër me sezonin e dimrit nga 1 nëntori deri më 28 shkurt. Periudhat në fjalë janë cilësuar me ngarkesën më të madhe të hyrje-daljeve në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Kosovën sidomos sezoni i verës por edhe në festat e fundvititi, shkruan rtsh.al.
Marrëveshja në fjale filloi së implementuari gjate verës së shkuar. Sipas marrëveshjes, veç kalimit të lehtësuar të kufirit, patrullat e përbashkëta të policisë rrugore patrullojnë të gjitha rrugët drejt qyteteve bregdetare. Në fillim të implementimit, marrëveshja ndërqeveritare ishte e vlefshme vetëm për pikën kufitare Morin-Vërmicë, ndërsa pas kërkesave të qytetarëve dhe rritjes së numrit të kalimeve u përfshinë edhe pikat e tjera të kalimit të kufirit Qafë Morinë, Qafë Prush, Shishtavec, Borje dhe Orgjost.





