Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit B.K. i cili dyshohet të jetë ai që kreu veprën penale duke vendosur eksploziv në veturën ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari, më 30 pill, me çka edhe ngarkohet me veprën penale, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Zjarrvënia” dhe veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin B.K., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale të lartpërmendura.
“Gjykata ka konstatuar se në këtë fazë të procedurës ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij, ku përdorimi i eksplozivit në një zonë me qarkullim të madh të njerëzve, përbën rrezik të lartë për jetën e njerëzve dhe sigurinë publike, mund të nxitet motivi tek i pandehuri për tu arratisur nëse lihet në liri. Gjykata vlerësoj se nga natyra dhe mënyra e kryerjes së veprave penale, rezulton se i pandehuri B.K. ka vepruar në mënyrë të planifikuar, të qëllimshme dhe me motiv financiar, gjë që e bënë të dukshëm rrezikun e përsëritjes së veprave penale”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës Themelore rreth vendimit për caktimin e paraburgimit ndaj këtij të dyshuari.
Veprime të tilla, të vënies së eksplozivit në veturën e personit tjetër, në zona me qarkullim të dendur të njerëzve, pa motive personale vetëm me motive të pagesës, sipas vendimit të Gjykatës Themelore e bëjnë të pandehurin B.K. potencialisht të rrezikshëm për sigurinë e përgjithshme dhe për përsëritjen e këtyre veprave penale apo veprave penale më të rënda.
“Andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.