6 persona kanë vdekur e 53 janë plagosur nga një shpërthim që ka ndodhur sot pasdite në Stamboll.Institucionet dhe partitë politike të Kosovës janë solidarizuar me popullin dhe Qeverinë turke në këtë ditë të rëndë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjeve, popullit turk, Asamblesë së Madhe Kombëtare dhe presidentit të Turqisë.
“Më trishtim morëm lajmin për humbjen e jetëve të pafajshme të disa personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit të sotshëm në Stamboll.
Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve” – ka shkruar Konjufca në Facebook.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ngushëlluar familjet, institucionet dhe popullin turk për shpërthimin tragjik.
” Lutemi që të jetë rasti i fundit që ka tronditur popullin turk dhe të gjithë ne. Shpresojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të kobshme” – ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është shprehur i pikëlluar dhe i tronditur nga shpërthimi i sotëm në Stamboll.
“Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk” – ka theksuar Krasniqi.Shpërthimin e ka dënuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“Aktet e tilla qyqare, na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit”- ka thënë Haradinaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të sulmit të sotëm Stamboll.
“Akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen dhe ata që qëndrojnë prapa tyre duhet të marrin dënimin e merituar” – ka theksuar Hoti.