Sot, rreth orës 16:20 minuta në kafenenë “Simple” e cila ndodhet në rrugën “Brigada 123” në Suharekë ka ndodhur një incident zjarri.
Gjatë përpjekjeve për të shuar flakët, një person ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Suharekë, njofton Policia.
Me të marrë informatën përmes linjës 112, Policia ka dal në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë reagimi ishte i shpejt dhe i koordinuar me zjarrfikësit. Zjarrfikësit kanë arritur shpejt në vendngjarje dhe kanë mundur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin.
Në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm edhe njësitet relevante të policisë, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në kuadër të procedurave ligjore. Po ashtu, janë njoftuar Inspektori i Punës dhe Eksperti i Zjarreve, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje për të ofruar asistencë në hetim.
Prokuroria e Shtetit është informuar dhe, pas konsultimeve me të, është hapur procedura për “Incident Zjarri”. Hetuesit e Stacionit Policor të Suharekës kanë filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij incidenti.
Hetimet vazhdojnë dhe autoritetet janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, thuhet në njoftim dërguar mediave nga Zyra për Informim e DRP-së në Prizren.