Programi Covax për shpërndarjen e vaksinave tek vendet më të varfra përballet me një sfidë serioze për të përmbushur kërkesat, paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Gebreyesus të enjten.Koha nuk premton, ishin fjalët e Gebrejesus.“Na kanë mbetur vetëm 9 ditë para se të arrijmë afatin 100 ditor dhe objektivin për të nisur vaksinimin e punonjësve të shëndetësisë e kategorive më të rrezikuara në vendet e varfëra. Covax ka dërguar 35 milionë doza në më shumë se 78 vende, por shpërndarja e barabartë dhe disponueshmëria e vaksinës vazhdon të mbetet një sfidë.
Javën e kaluar u bëra një kërkesë urgjente vendeve me doza të vaksinave kundër covid-19 që janë autorizuar për përdorim emergjent nga OBSH, të japin menjëherë 10 milionë doza për programin Covax. Sfida është e madhe, por ne ende nuk po shohim angazhim për sigurimin e dozave të nevojshme.”, u shpreh ai.
Në konferencën e përditëshme për situatën pandemike, Gebrejesus tha gjithashtu se ishte në pritje të vlerësimeve të mëtjeshme lidhur me raportin qëdo të publikohet së shpejti, mbi origjinën e virusit të shfaqur fillimisht në një treg të Wuhanit në vitin 2019.
Ndërkaq,ekspertja e OBSH, Maria Van Kerkhove paralajmëroi se Brazili ishte në një situatë shumë serioze, ndërsa shumë shtete kanë shpallur gjendjen e emergjencës dhe spitalet janë të tejmbushura. Problem i madh sipas saj, mbetet transmetueshmëria e lartë e variantit të virusit, P1 i cili është edhe më vdekjepurës./A2CNN