Përfaqësues të shoqërisë civile, organizata joqeveritare, dhe aktivistë kanë shprehur shqetësim për mosthemelimin e e legjislaturës së re si dhe qeverisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa kanë theksuar se një prej pasojave më të rënda nga kjo është ngecja në ratifikimin e Marrëveshjes për Planin e Rritjes.
Përmes një reagimi të tyre, përfaqësuesit shprehën se Plani, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik si dhe integrim evropian. Sipas tyre, zvarritja e ratifikimit rrezikon jo vetëm përfitimet e drejtpërdrejta financiare, por edhe kredibilitetin e Kosovës si partnere e besueshme në proceset evropiane.
“Një nga pasojat më të ndjeshme të mos themelimit të institucioneve është edhe ngecja në ratifikimin e Marrëveshjes së Facilitetit me BE-në. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, së bashku me marrëveshjen për huazim, është kyç për kualifikimin për parafinancim prej 61.8 milionë eurosh. Ky Plan parasheh zbatimin e reformave të rëndësishme për integrimin evropian të vendit si dhe financimin e tyre me anë të fondeve nga ana e BE-së. Kosova parashihet që të përfitojë deri në 883 milionë euro për zbatimin e Agjendës së Reformave”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga GLPS.





