Shoqata Sindikale e Anëtareve të Shërbimit të Jashtëm ka reaguar kundër menaxhmentit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të cilët pretendojnë se kanë ndërruar cilindrin e derës së kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku dhe pamundësuar qasjen në zyrën e tij.
“Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës njofton lidhur me aktin e fundit të cenimit të së drejtës për organizim sindikal brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, veprime të cilat sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe imunitetit sindikal”.
“Pas largimit të kryetarit të Shoqatës Sindikale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sot më datë 28 shtator 2022, menaxhmenti i MPJD-së në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale, Agron Maloku, duke e ndërruar cilindrin e derës dhe duke pamundësuar qasjen në zyrën e tij, në arkiven, vulën dhe dokumentacionet tjera të Shoqatës të krijuara vite me radhë që nga themelimi saj në mars të vitit 2017” thuhet në njoftim.





