Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar pas njoftimit të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, për dorëzimin e një padie lidhur me shkeljet e mundshme ligjore në industrinë e qumështit gjatë së paku 15 viteve të fundit.
Në njoftimin e saj, Shoqata e Qumështoreve e vlerëson këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm, jo vetëm për industrinë e qumështit, por edhe për sundimin e ligjit, mbrojtjen e konsumatorit dhe fermerëve, si dhe funksionimin e institucioneve.
Sipas Shoqatës, kërkesat për hetimin e dyshimeve për shkelje në këtë sektor datojnë që nga viti 2017, kur ajo kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe subjekteve të tjera.
“Kanë kaluar gati 10 vite dhe drejtësia ka vonuar ndjeshëm”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Shoqata e Qumështoreve thotë se njoftimi i fundit i Ministrisë së Bujqësisë përbën një hap drejt adresimit të shqetësimeve të ngritura ndër vite nga prodhuesit, përpunuesit dhe konsumatorët.
Sipas saj, funksionimi i një industrie të qëndrueshme kërkon zbatim të ligjit, kontroll të tregut dhe transparencë, ndërsa fermerët dhe konsumatorët duhet të jenë të mbrojtur nga shkeljet dhe abuzimet e mundshme.
Shoqata thekson se standardi që duhet të ndiqet është një treg i drejtë, konsumator i mbrojtur, fermer i sigurt, prodhues i ndershëm dhe institucione që zbatojnë ligjin.
“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Askush nuk duhet të jetë baras me ligjin. Të gjithë duhet të jenë nën ligj”, thuhet në deklaratë.
Në reagim, Shoqata kërkon që lufta kundër krimit, korrupsionit, mashtrimit dhe abuzimit të trajtohet si detyrim institucional dhe shoqëror, duke theksuar se nuk duhet të ketë kompromis me shkeljen e ligjit.
Në fund të njoftimit, Shoqata e Qumështoreve të Kosovës kërkon që dyshimet për mashtrim dhe abuzim të hetohen dhe që, siç shprehet ajo, “e vërteta të dalë në dritë”.