Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka pritë bashkatdhetarët në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Sot patëm kënaqësinë t’i mirëpresim bashkatdhetarët tanë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kuvendi i hap dyert çdo vit për mërgatën tonë, për t’i afruar edhe më shumë me institucionin ku merren vendimet për të ardhmen e vendit tonë.
Për shumë prej tyre, kjo ishte hera e parë që panë nga afër sallat e Kuvendit, vendin ku përfaqësohet zëri i qytetarëve të Kosovës. Gjatë vizitës, ata patën mundësi të takojnë edhe deputetë të Legjislaturës së XI dhe të bashkëbisedojnë për Kosovën, për kontributin e mërgatës dhe për lidhjen e fortë që na bashkon.
Bashkatdhetarët tanë e mbajnë Kosovën me vete kudo që janë. Ata janë pjesë e historisë, zhvillimit dhe së ardhmes sonë.
Prandaj, dyert e Kosovës janë gjithmonë të hapura për ta.
Sepse mërgata nuk është larg Kosovës, mërgata është pjesë e pandashme e saj.
Vizitat në Kuvend vazhdojnë edhe më 11 dhe 12 gusht.
Kuvendi ju mirëpret”, ka shkruar Haxhiu.