Të enjten, para nxënësve të shkollës “ Hysen Rexhepi” në Prizren, është bërë promovimi i librit “ Shtëpia si n’rrota”, i shkrimtarit të mirënjohur për fëmijë, Ibrahim Skenderi.
Sot është bërë përurim i veçantë i librit “ Shtëpia si n’rrota”, nga autori Ibrahim Skenderi, ndër shkrimtarët më të shquar për fëmijë me nxënësit e shkollës “ Hysen Rexhepi” të Prizrenit, në organizim të Bibliotekës sëkëtij qyteti.
Drejtoresha e këtij institucioni, Sahadete Sadikaj- Kukaj, tha se kjo ngjarje e veçantë po organizohet në kuadër të aktiviteteve të ndryshme që po realizojmë me rastin e 2- prillit, ditës së librit për fëmijë, që ata t’i rikthejmë tek libri.
Ajo ka shtuar se, shkrimtari Ibrahim Skenderi meriton të promovohet në çdo shkollë, pasi librat e tij përmbajnë tematikë aktuale për fëmijët.
Për librin e ri të autorit, Skenderi, ka folur krijuesi letrar, Ilam Berisha, i cili ka shtuar se çdo vjershë apo poemë e këtij shkrimtari, është frymëzim nga jeta e përditshme e tij.
Ndërkaq, autori Ibrahim Skenderi, tha se ndjehej i lumtur që librin e tij të ri po e promovonte para atyre që iu dedikohet një botim i tillë, dhe inkurajoi fëmijët që të merren me shkrime dhe një ditë të bëhen edhe shkrimtarë të dalluar.
Gjatë këtij aktiviteti kulturor, nxënësit kanë recituar poezi nga libri ““ Shtëpia si n’rrota”, si dhe kanë zhvilluar bashkëbisedim të këndshëm me shkrimtarin Skenderi dhe të pranishmit tjerë.