Ka shkuar në nëntë numri i të vrarëve nga sulmi i armatosur në një shkollë në Turqi të mërkurën, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Turqisë, Mustafa Çiftçi, transmeton “BBC”.
Në mesin e viktimave janë të paktën tetë nxënës dhe një mësues. Po ashtu disa janë lënduar në sulmin në shkollën e mesme “Ayser Calik” në Kahramanmarash.
Kryebashkiaku Mukerren Unluer, ka bërë të ditur se është vrarë edhe personi që kreu sulmin.
Ky sulm erdhi vetëm një ditë pasi 16 persona u plagosën kur një ish-nxënës shtiu me armë në një shkollë të mesme, po ashtu në jug të Turqisë, para se ta vriste veten.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Çiftçi tha se 13 persona janë plagosur në sulmin e të mërkurës, prej tyre gjashtë në gjendje kritike.
Motivet e sulmit ende nuk dihen, ndërsa mediat raportuan se personi që kreu krimin ishte një tinejxher, që u fut në dy klasa shkolla dhe kishte pesë armë zjarri dhe shtatë karikatorë të mbushur me plumba. Kryebashkiaku Unluer tha se armët i takonin babait të tij, një ish-polic.