Qendra e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë ofron një gamë të gjerë profilesh profesionale, duke u fokusuar në përgatitjen e nxënësve për të hyrë me sukses në tregun e punës.
Programet që ofron kjo qendër janë të projektuara për të zhvilluar aftësi teknike dhe praktike të kërkuara në fusha të ndryshme industriale dhe artizanale.
Profilet që ofron kjo qendër janë të shumta ndër to është edhe Automekanikut i cili përgatit nxënësit për të mirëmbajtur dhe riparuar automjete të ndryshme.
Drejtori i kësaj Qendre, Blerim Gërvalla, theksoi për RTK se kushtet që ofrohen këtu dhe përmbajtja e planprogramit janë vetëm disa nga arsyet që po nxisin të rinjtë për të zgjedhur shkollat profesionale.
“Fatmirësisht, të rinjtë sot më shumë po i zgjedhin shkollat profesionale pasi që edhe shkalla e punësimit po është shumë më e lartë. Shkollën tonë po e zgjedhin sepse ofron kushte të mira dhe një planprogram mjaftë të mirë”, tha Gërvalla.
Instalues i nxemjes dhe ujit është një tjetër drejtim i cili është shumë i kërkuar në tregun e punës. Prandaj edhe Qendra e Kompetencës ‘Shtjefën Gjeçovi’ në Prishtinë e ofron edhe këtë drejtim.
“Në këtë shkollë e kemi edhe punëtorin e ngrohjes, çka mësohet në teori këtu në punëtori e bëjmë praktikë “, tha Arjeta Januzaj – Profesoreshë
Sipas drejtorit Gërvalla profesionet më të kërkuara të moment i ofron kjo qendër dhe vazhdueshëm po mundohet që të ndjek zhvillimet e fundit.
Kurse Lutfi Ademi është njëri nga nxënësit i cili ka zgjedhur drejtimin Metalpunues dhe Dirigjimi Kompjuterik i Makinave për të avancuar edhe më shumë biznesin e babait të tij.
Në këtë qendër, nxënësit përfitojnë aftësi të dobishme dhe përvoja praktike që i përgatisin për sfidat e tregut të punës dhe krijimin e një karriere të suksesshme në profesionin e zgjedhur.