Bordi i Përkohshëm i Ndërmarrjes Publike Banesore, e ka shkarkuar Hajdar Hoxhën, nga pozita e kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje.
Lajmi u bë i ditur nga Leutrim Retkoceri, shefi i Grupit të Asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Retkoceri tha se deri më sot në këtë ndërmarrje ishin bërë keqpërdorime nga njërëzit e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jo siç kanë qenë deri sot – të papërgjegjshme. Për një kohë të gjatë ndërmarrjet publike janë menaxhuar nga njerëz të Vetëvendosjes gjatë qeverisjes së VV-së në Komunë. Për më tepër, nga dëshira për të përfituar, e pastaj shkatërruar, shumica e ndërmarrjeve publike në Prishtinë janë ballafaquar me borxhe financiare e rrezikim të falimentimit të kompanive. Prandaj, në vazhdën e reformave që po bëhen nëpër ndërmarrjet e Prishtinës, pas KRM “Pastrimi” dhe “Hortikulura”, ndryshimi sot u bë edhe në menaxhmentin e “Ndërmarrjes Publike Banesore” – duke u shkarkuar menaxhmenti i vjetër” – tha Retkoceri.
Ndërkaq zyrat e NPB-së ishin bastisur gjatë së enjtes nga policia.
Kjo për shkak të dyshimeve për keqpërdorim në projektin kryesor të kësaj ndërmarrje në lagjen Lakrishtë.
“Zyrtarët policorë kanë paraqitur një urdhër kontrolli për të marrë dokumente të NPB-së, të cilat sipas kësaj ndërmarrjeje i janë dorëzuar organeve të rendit 5 muaj më herët. Këto dokumente thuhet se ndërlidhen me projektin më të rëndësishëm të NPB-së , atë të ndërtimit në Lakrishtë. “Nga ajo që kemi kuptuar është që të gjitha këto dokumente që janë kërkuar i ishin dorëzuar organeve të rendit 5 muaj më herët. Pasur parasysh këtë fakt, kërkesa e tyre është e pakuptimtë”, thuhet në komunikatën për media të NPB-së. /Klankosova.tv/