Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkarkuar sot Blerim Isufajn nga pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e jashtëzakonshme të KPK-së, e cila ishte thirrur për të diskutuar lidhur me punën e Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale.
Pas shkarkimit të Isufajt, Dren Paca është caktuar ushtrues detyre i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, bëjnë të ditur burimet e “Betimit për Drejtësi”.
Mbledhja e sotme e KPK-së u zhvillua pas diskutimeve të mëhershme lidhur me punën e Prokurorisë Speciale. Në mbledhjen e 2 shtatorit, KPK-ja kishte refuzuar miratimin e raportit të punës së kësaj prokurorie për vitin 2025.