LAJME

Çitaku i përgjigjet Haxhiut: UÇK-ja është mbi çdo prioritet, silleni ligjin në Kuvend

Çitaku i përgjigjet Haxhiut: UÇK-ja është mbi çdo prioritet, silleni ligjin në Kuvend
TV Prizreni
TV Prizreni
2 Tetor 2026, 15:51

Sekretarja dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është përgjigjur ushtrueses së detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pasi kjo e fundit deklaroi se zgjedhjen e presidentit e konsideron më të rëndësishme sesa votimin e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një status të publikuar në Facebook, Çitaku ka theksuar se “UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet!”.

“Prioritetet i përcakton populli. Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në. Dëgjojeni zërin e tij. Silleni ligjin në Kuvend dhe votojeni pa vonesë! Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit! JO NË EMRIN TIM!”, ka shkruar Çitaku.

Partia Demokratike e Kosovës, si partia e dytë më e madhe në Kuvend, ka deklaruar se është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, me kusht që paraprakisht në Kuvend të miratohen ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale.

PDK-ja ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, me synim kufizimin e mandatit të saj, pas dënimit të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 vjet dhe Rexhep Selimit me 13 vjet. Ata u dënuan për krime lufte.

Përmes ndryshimeve të propozuara ligjore, PDK-ja synon që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj.

Ndërsa, për krimet e luftës për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika