Shoqëria Kulturore Artistike “Bresana” nga Opoja gjatë fundjavës së shkuar ka fituar çmimin e madh në edicionin e IX-të të festivalit burimor “Duflla” të mbajtur në fshatin Raçe të Komunës Saraj-Shkup në Maqedoni të Veriut.
Në këtë festival kanë marrë pjesë ansamble dhe grupe folklorike nga të gjitha trevat shqiptare, ku sipas njoftimit të organizatorëve, janë prezantuar ritualet, doket, zakonet, këngët e vallet burimore të zonave të ndryshme, teksa ka pasur diskutimet edhe për folklorin e trashëgiminë shpirtërore, raporton Telegrafi.
“Në skenën e festivalit ‘Duflla’ performuan grupe të ndryshme, ku vlen të theksohet përfundimi i bukur që i dhuroi festivalit Shoqëria Kulturore Artistike ‘Bresana’”, thuhet në njoftimin e festivalit.







