Në ambientet e Muzeut Arkeologjik në Prizren, me mbështetjen e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), shënoi të enjten Ditën Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor, përmes një aktiviteti që mblodhi pjesëmarrës dhe përfaqësues të ndryshëm kulturorë, me qëllim promovimin e vlerave të diversitetit kulturor dhe rëndësisë së bashkëjetesës në shoqëri.
Siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, traditave, gjuhës, muzikës dhe veshjeve tradicionale si pjesë e identitetit dhe pasurisë kulturore të vendit.




